Pika e daljes së gazit në Fier

PROJECT DETAILS

Negociatat mes Albgaz dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP) mbi përcaktimin e specifikimeve teknike të pikës së daljes të gazit në Fier po shkojnë drejt përfundimit, duke shënuar hapa konkretë në drejtim të gazifikimit të vendit. Diskutimet mes palëve bazohen në Vendimin e Përbashkët të Enteve Rregullatore të Energjisë të Italisë, Shqipërisë, dhe Greqisë, ku përcaktohet se TAP duhet të ofrojë të paktën një pikë daljeje gazi në Shqipëri. Kapaciteti i pikës së daljes së gazit në Fier parashikohet të jetë  2-10 mmk/ditë, ndërkohë që në bazë të marrëveshjes ajo do të ndërtohet nga Trans Adriatic Pipeline.

Pika e daljes në Fier konsiderohet si pika fillestare e zhvillimit të sistemit të transmetimit të gazit, pasi nga kjo pikë, rrjeti i gazit do të zgjerohet në drejtim të qendrave të mëdha të konsumit të gazit në mënyrë që seksionet e tubacioneve të tjerë të rezultojnë me tarifën e transmetimit më të ulët të mundshme. Referuar Masterplanit të Zhvillimit të Sektorit të Gazit Natyror, zona e Fier – Vlorë – Ballsh paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit industrial të gazit ku janë të vendosur shumica e konsumatorëve të mëdhenj industrialë. Ndërkohë që, zona e Tiranës dhe Durrësit përbën zonën kryesore me konsum të konsiderueshëm gazi.

Finalizimi i marrëveshjes për pikën e daljes së gazit në Fier vjen në momentin kur tubacioni i TAP-it është injektuar me gaz natyror nga kufiri greko-turk deri në terminalin pritës në Italinë e jugut, ndërkohë që pika ndërlidhëse midis tubacionit të TAP-it dhe sistemit të transportit të gazit natyror të Snam Rete Gas në Puglia (Itali) pritet të përfundojë dhe të jetë gati për të transportuar gaz në mesin e nëntorit 2020.

Paralelisht me pikën e daljes së gazit në Fier, një pikë e dytë do të ndërtohet edhe në Korçë.