Historiku i gazit

Shfrytëzimi i gazit në Shqipëri për përdorim industrial daton në vitin 1963, periudhë kur shtrirja e gazit të kondesuar në Bubullimë (Kallm) është vënë në punë. Më vonë në vitin 1964 është vendosur në punë rezerva e gazit natyror në Divjakë, e ndjekur më pas me gjetjen dhe përdorimin e burimeve të tjera të gazit natyror në: Frakull (1972), Finiq-Krane (1974), Ballaj (1983), Povelca (1987) dhe Delvinë (1989). Deri në vitin 1990, gazi natyror është përdorur për industrinë e mbetjeve kimike, industrinë e naftës, prodhimin e energjisë elektrike dhe një sasi shumë e vogël për sektorin rezidencial. Rezervat e gazit kanë shënuar rënie të vazhdueshme që prej vitit 1985, duke arritur nivelin minimal në fillim të viteve nëntëdhjetë, për shkak të mungesës së zbulimeve të reja dhe të investimeve në burimet ekzistuese.

Nxjerrja e gazit si dhe menaxhimi i tij në Shqipëri është bërë nga Shoqëri me pronësi shtetërore siç është Albpetrol Sh.a.

Numri i përgjithshëm i puseve të shpuar të gazit është mbi 500, por aktualisht numri i puseve prodhues të gazit është zvogëluar në rreth 20 puse. Aktualisht prodhimi i gazit natyror shërben për industrinë e naftës. Gazi natyror historikisht ka qenë një element i rëndësishëm për furnizimin e tregut shqiptar me energji, por kontributi i tij i deritanishëm ka qenë i ulët, për shkak të niveleve minimale të prodhimit.

Rezervat e gazit kanë shënuar rënie të vazhdueshme që prej vitit 1985, duke arritur nivelin minimal në fillim të viteve nëntëdhjetë (90), për shkak të mungesës së zbulimeve të reja dhe të investimeve në burimet ekzistuese.

Shqipëria është i vetmi vend Evropian i cili nuk është i lidhur  me rrjetet ndërkombëtare të gazit natyror. Mënyra më optimale për lidhjen e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtarë të gazit është ajo e tranzitit të magjistralit të gazit ose Projekti “TAP”, i cili do të kontribuojë për  diversifikimin dhe sigurinë e furnizimit me gaz të Europës, por edhe në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Rrjeti lokal i tubacionit të gazit

Rrjeti i tubacioneve të gazit është i shpërndarë në të gjithë pjesën perëndimore të Shqipërisë dhe përfundon në ORC në Ballsh. Infrastruktura vendase e rrjetit të gazit në Shqipëri ka një shtrirje më të madhe se infrastruktura e naftës. Fushat e gazit shtrihen nga Durrësi deri në Delvinë, duke krijuar kështu një mundësi për konsumatorët për t’u lidhur me rrjetin. Infrastruktura e kufizuar e gazit vendas në disa vende është jashtë gjendjes operative dhe nevojiten punime të mëdha rehabilitimi.

Albgaz Sh.a. administron rreth 500 km tubacione magjistrale të transportit të gazit të ndërtuar para 40 vitesh, me teknologji tashmë të vjetëruar, ku masat mbrojtëse nga korozioni janë minimale.

Për vitin 2017 gjatësia e tubacioneve pritet të 5-fishohet për të realizuar objektivat nga projektet e ndryshme si rrjedhojë e marrëveshjeve për krijimin e një rrjeti të kompletuar.