Evidentimi dhe analiza e integritetit të aseteve

PROJECT DETAILS

Evidentimi në terren, kontrolli dhe rivlerësimi i linjave ekzistuese të gazit do të mundësojë për herë të parë një panoramë të plotë mbi gjendjen reale, integritetin dhe sigurinë e tyre. Në total janë 264.5 km linja ekzistuese që do t’i nënshtrohen këtij evidentimi, ndërkohë që procesi do të finalizohet me ngritjen e databazës dixhitale. Paralelisht do të hartohet edhe raporti teknik i shoqëruar me rekomandime mbi vlerësimin dhe parandalimin e rrezikut, që duhet të zbatohen prej teknikëve dhe operuesve të pajisjeve apo instalimeve. Gjithashtu, në raport do të jepen rekomandime përkatëse për trajtimin e aseteve të evidentuara, si dhe rekomandime mbi strukturën organizative, për operimin eficent e të sigurt.

Ngritja e kësaj baze të dhënash ka një rëndësi tejet të veçantë në drejtim të zhvillimit të rrjetit të gazit në vend, pasi ajo i paraprin synimit madhor të Albgaz, që është hartimi i programit të menaxhimit të rrjetit të transmetimit dhe linjave teknologjike.

Më konkretisht, qëllimi kryesor i evidentimit dhe inspektimit ne terren, është vlerësimi i konformitetit, identifikimi i mekanizmave aktivë të përkeqësimit dhe përcaktimi i riparimeve, zëvendësimeve, apo inspektimeve të ardhshme për tubacionet e prekura. Ky qëllim kërkon zhvillimin e informacionit në lidhje me gjendjen fizike të linjave dhe tubacioneve, shkaqet dhe shkallën e përkeqësimit të performancës së tyre. Duke përgatitur një pasqyrë të saktë të historikut të gjendjes teknike, shoqëria do të mund të parashikojë dhe të planifikojë riparimet e ardhshme dhe zëvendësimet, të veprojë për të parandaluar apo vonuar përkeqësime të mëtejshme, dhe mbi të gjitha të evitojë humbjen e kontrollit mbi asetin, duke siguruar kështu integritetin e rrjetit.

Përveç 264.5 km linja ekzistuese që do t’i nënshtrohen këtij evidentimi, pjesë e procesit do të jenë edhe 7 stacione gazi në: Fier, Ballsh, Patos, Elbasan, Cerrik, Kuçovë dhe Vlorë. Po ashtu, pjesë e të njëjtit proces do të jenë edhe stacioni i pompave të ujit në Selishtë e Cakran, si dhe stacioni i kompresorëve në Drenovë.