Gazifikimi i Qytetit të Korçës

PROJECT DETAILS

Projekti i Gazifikimit të Qytetit të Korçës
Projekti i gazifikimit të qytetit të Korçës vjen si rezultat i vizionit të Qeverisë Shqiptare dhe shprehjes së interesit serioz nga ana e Shoqërisë së Naftës shtetërore të Azerbajxhan-it (Socar) për të themeluar gurin e parë kilometrik të zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri dhe që njëkohësisht i hap rrugën ndërlidhjes së mëtejshme të transmetimit me gaz në drejtim të qyteteve të tjera apo shteteve fqinjë në të ardhmen.
Operatori shtetëror i naftës dhe gazit azer, Socar, ka marrë iniciativën e zhvillimit të rrjetit të shpërndarjes duke iu shërbyer një burim alternativ energjie konsumatorëve të Korçës, e cila pritet të sjellë leverdishmëri ekonomike, siguri furnizimi dhe ulje të ndjeshme të ndotjes nga djegja e lëndëve drusore, tipike për këtë qytet deri më sot. Përfitues të këtij burimi energjetik pritet të jenë jo vetëm konsumatorët rezidencialë, por edhe institucionet, bizneset dhe industria.
Projekti i gazifikimit të Korçës
Në fillim qeveria Shqiptare do e mbështesë këtë procedurë të re duke e nisur si një projekt pilot nga qyteti i Korçës duke e zgjeruar më pas edhe në zonën e Pogradecit dhe Ersekës.
Për të konkretizuar këtë ambicje të të dyja palëve të përfshira u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi më datë 12 Nëntor 2024 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Socar dhe Albgaz Sh.a.
Albgaz Sh.a. me mbështetjen direkte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të angazhohet shpejt për realizimin e studimeve mbi fizibilitetin e infrastrukturës së transmetimit, duke përfshirë stacionin e matjes dhe reduktimit të presionit, si dhe të çdo materiali tjetër teknik të nevojitur në këtë fazë të hershme, për të lehtësuar dhe dhënë shtysë realizimit të këtij projekti.