
TAP, një partner strategjik në rrugën e gazifikimit të Shqipërisë
Në Nëntor 2024, u zhvillua një takim i rëndësishëm me rastin e 4-vjetorit të nisjes së operimeve të TAP në Shqipëri. Takimi konsistoi në nivel të lartë institucional mes përfaqësuesve të Qeverisë Shqiptare me në krye, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Ceno Klosi, anëtarë të Bordit Drejtues të Trans Adriatic Pipeline (TAP), Administratorja e Albgaz Sh.a Znj.Amarda Kapaj, përfaqësues nga AGS Co si dhe ekspertë të sektorit energjetik.
Ky takim, i mbajtur në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese, shërbeu për të vlerësuar katër vite arritje në operimin dhe mirëmbajtjen e një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në rajon, si dhe për të diskutuar perspektivat e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në funksion të objektivave kombëtare dhe rajonale të energjisë.
Një ndër temat qendrore të diskutimit ishte projekti i gazifikimit të vendit, një nismë strategjike e Qeverisë Shqiptare, e cila ka për synim krijimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme për shpërndarjen e gazit natyror në qytetet shqiptare.
Përfaqësuesit e TAP konfirmuan mbështetjen e plotë për këtë projekt, duke e konsideruar si një hap të domosdoshëm drejt zgjerimit të përdorimit të gazit në tregun shqiptar dhe forcimit të rolit të Shqipërisë si një nyje energjetike rajonale.
Në emër të Albgaz dhe institucioneve partnere, u shpreh mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm me TAP, një kompani me standarde të larta teknike dhe organizative, që ka kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e infrastrukturës energjetike të Shqipërisë.
“TAP është më shumë se një partner teknik – është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e transformimit energjetik të Shqipërisë.” – Thekson administratorja e Albgaz Sh.a Znj.Amarda Kapaj.
Projekti i gazifikimit do të nisë nga qyteti i Korçës, i përzgjedhur si vendndodhja e parë për realizimin e rrjetit urban të shpërndarjes së gazit natyror. Ky hap është në përputhje me masterplanin e zhvillimit të gazifikimit, i cili parashikon një qasje të kujdesshme dhe të modeluar për të siguruar efikasitet dhe qëndrueshmëri.
Vetëm pak ditë para këtij takimi, në Baku, Azerbajxhan, u firmos një marrëveshje bashkëpunimi mes Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë shtetërore SOCAR, për të mbështetur projektin e gazifikimit. Marrëveshja përfshin asistencë teknike, ekspertizë dhe pjesëmarrje në zbatimin e projekteve konkrete.
Ky partneritet me SOCAR, i kombinuar me angazhimin e TAP, vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm për të ndërtuar një sistem energjetik të integruar dhe të sigurt.
“Me TAP ndajmë një histori bashkëpunimi të suksesshëm. Ky 4-vjetor i operimeve në Shqipëri nuk është vetëm një përvjetor simbolik, por një moment për të rikonfirmuar vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen. Jemi mirënjohës për mbështetjen që TAP po i jep projektit tonë të gazifikimit dhe jemi të gatshëm të zgjerojmë bashkëpunimin më tej.”
—Znj. Belinda Balluku, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Albgaz sh.a., si kompania shtetërore përgjegjëse për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së gazit natyror në Shqipëri, mbetet aktori kyç në realizimin e projektit të gazifikimit në qytetin e Korçës dhe më gjerë. Duke ndjekur një qasje të integruar me partnerët strategjikë si TAP dhe SOCAR, Albgaz synon të:
– Sigurojë rrjet të sigurt dhe të qëndrueshëm shpërndarjeje në zonat urbane;
– Rrisë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në energji moderne dhe më ekonomike si dhe të nxisë zhvillimin ekonomik rajonal dhe uljen e ndotjes mjedisore
- By:Albgaz
- 0 comment