News Image
Një hap i rëndësishëm është shënuar në sektorin energjetik në Shqipëri, përmes rinovimit të marrëveshjes ndërmjet AGS CO dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP) për vijimin e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes së rrjetit të gazit në vend.
Shërbimi do të vijojë të realizohet nga kompania AGSCo, një konsorcium i krijuar ndërmjet shoqërisë shtetërore "Albgaz" sh.a. dhe kompanisë italiane Snam S.p.A, duke reflektuar rritjen e kapaciteteve vendase në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës strategjike energjetike.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së rinovuar morën pjesë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, si dhe përfaqësues të lartë të palëve, përkatësisht z. Arbër Lleshi, Drejtor Ekzekutiv i AGSCo, z. Tommaso Andriolo, Drejtor Operacional i AGSCo, z. Ricardo Ruiz Nuñez, Drejtor Operacional i TAP, z. Luca Schieppati, Drejtor Menaxhues i TAP si dhe Administratorja e Albgaz sh.a. znj. Amarda Kapaj.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes
Ministri Karakaçi vlerësoi këtë marrëveshje si një tregues të qartë të forcimit të rolit të Shqipërisë në hartën energjetike rajonale, si dhe të besimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj ekspertizës dhe standardeve të arritura në vend.
Pjesëmarrësit në ceremoninë e nënshkrimit
Zhvillimi i sektorit të gazit natyror po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe, në funksion të diversifikimit të burimeve energjetike dhe rritjes së sigurisë energjetike, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nyje të rëndësishme në korridoret evropiane të energjisë.