
Në prill 2025, qyteti i Korçës mirëpriti eventin zyrtar të prezantimit të projektit të gazifikimit urban, një ndër projektet më ambicioze të energjisë në Shqipëri, i zhvilluar në kuadër të Projektit NUR (National Urban Reticulation) – nismës kombëtare për përhapjen e gazit natyror në qytetet shqiptare.
Ky projekt shënon fillimin e transformimit energjetik të qytetit të Korçës, duke e kthyer atë në modelin e parë pilot të shpërndarjes urbane të gazit natyror në Shqipëri. I konceptuar si pjesë e Masterplanit Kombëtar të Gazifikimit dhe në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompaninë shtetërore SOCAR, projekti pritet të sjellë përfitime të ndjeshme për ekonominë vendore, qytetarët dhe mjedisin.
Me prezencën e kryeministrit të Shqipërisë Z.Edi Rama, eventi u zhvillua në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës , dhe solli bashkë përfaqësues nga: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; Albgaz sh.a; Qeveria e Azerbajxhanit dhe kompania SOCAR; Enti Rregullator i Energjisë; Komuniteti vendor, bizneset dhe media lokale.
Gjatë aktivitetit, u prezantuan aspektet teknike të projektit, hapat e zbatimit dhe përfitimet që ai sjell për qytetin e Korçës dhe më gjerë.
Në fjalimin e saj përshëndetës, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku, theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti:
“Sot nuk prezantojmë thjesht një projekt teknik, por një vizion për të ardhmen e energjisë urbane në Shqipëri. Korça nuk është zgjedhur rastësisht — është qyteti që na ka dëshmuar se është gati të udhëheqë tranzicionin energjetik drejt një modeli më të pastër, më të lirë dhe më të qëndrueshëm. Projekti NUR është më shumë se një investim, është një garanci për gjeneratat që vijnë.”
Fjalimi i Ministres u cilësua si një angazhim i qartë i qeverisë për modernizimin e infrastrukturës energjetike në të gjithë vendin.
Zbatimi i projektit të gazifikimit në Korçë vjen si pjesë e fazës së parë të Projektit NUR, që ka si objektiv krijimin e rrjeteve të shpërndarjes së gazit në qytetet kryesore të vendit.
Korça është përzgjedhur si qyteti i parë pilot për disa arsye kryesore:
• Akses i afërt me rrjetin e transmetimit të gazit në zonën e Ersekës
• Kapacitetet organizative të Bashkisë dhe bashkëpunimi i ngushtë institucional
• Nevoja për diversifikim energjetik në një rajon me zhvillim të lartë turistik dhe bujqësor
• Performanca pozitive e konsumatorëve në projektet ekzistuese të energjisë
Përfitimet e projektit për qytetarët dhe komunitetin lokal
• Ofrohet një burim energjie më ekonomik dhe më i pastër për familjet dhe bizneset
• Reduktohet ndjeshëm ndotja e ajrit dhe përdorimi i lëndëve djegëse të ngurta
• Rritet efikasiteti energjetik në ndërtesa publike dhe private
• Mbështetet zhvillimi i sektorëve strategjikë si bujqësia, agroturizmi dhe agropërpunimi
• Forcohet siguria energjetike dhe pavarësia në burime energjie
Ky projekt konfirmon angazhimin e Albgaz për të qenë një aktor kyç në ndërtimin e një sistemi energjetik modern dhe të qëndrueshëm në Shqipëri. Me realizimin e Projektit NUR në Korçë, Albgaz vendos themelet për një të ardhme ku gazi natyror bëhet pjesë e pandashme e jetës urbane dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
- By:Albgaz
- 0 comment