Në datë 27 prill 2022 në Pallatin e Brigadave, Albgaz Sh.a organizoi Konferencën ndërkombëtare të gazit, nën mbështetjen e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, si një iniciativë për ta kthyer Shqipërinë në portën e gazit natyror në rajon.

“Përtej kufijve: Drejt një tregu të qëndrueshëm energjetik dhe një ekonomie me impakt të ulët  karbonik” ishte tema e konferencës ndërkombëtare e cila u organizua në Tiranë, me pjesëmarrjen e kompanive më të njohura nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa në sektorin e industrisë dhe infrastrukturës së gazit.

Kryefjala e këtij takimi u përqëndrua  mbi LNG dhe Gazin Natyror si dhe perspektivat e tyre në funksion të sigurisë energjitike dhe bashkëpunimit strategjik.

Konferenca u çel  nga Administratori i Operatorit të Kombinuar të Gazit Natyror, Z.Arber Avrami, i cili në fjalën hapëse u shpreh:

Sot kam privilegjin dhe kënaqësinë unikale të ndaj me ju një momentum jetik në dinamikat e zhvillimit energjitik të Shqipërisë po ashtu dhe te rajonit. Dua të vlerësoj hapsirën e mundësive që ndajmë se bashku në këtë takim, në synimin për të maksimizuar rolin tejet të rëndësishëm të Gazit Natyror,  për përballimin e sfidave dhe kërkesave në funksion të Sigurisë Energjitike dhe  të Zhvillimi të qëndrueshëm dhe strategjik”.

Në sesionin hapës të Konferencës merrnin pjesë edhe kryeministri i vendit Z.Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj.Belinda Balluku, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, si dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Duke falënderuar pjesëmarrësit për gatishmërinë dhe interesin e treguar në këtë përpjekje të përbashkët, Kryeministri Rama u shpreh:

-“Faleminderit përzemërsisht që ia dolët të mbërrinit në Tiranë dhe të dëshmonit interesin tuaj që së bashku të zhvillojmë atë ç’ka është vërtet një program i rëndësishëm e ambicioz, ndryshimi për Shqipërinë, program ndryshimi për rajonin dhe as që diskutohet që është vlerë e shtuar që ky ndryshim mund të jetë i mundur përmes kanalizimeve të përpjekjeve dhe energjitë e aktorëve që mbërrijnë dhe vijnë prej SHBA-së, Europës, Azerbajxhanit dhe shpresoj edhe më të tjerë që do të na bashkohen në të ardhmen.

Gjatë fjalimit të saj në Konferencë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj.Belinda Balluku, u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë të shoh në këtë sallë një pjesëmarrje kaq të çmuar, me partnerë të rëndësishëm, bashkëpunëtorë të hershëm dhe të ardhshëm, të gjithë lider në sektorin energjetik në SHBA, Bashkimin Europian, Ballkanin Perëndimor e më gjerë.”

Konferenca ka sjellë së bashku partnerë, liderë energjetikë dhe palë të interesuara nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, BE dhe SHBA për të vendosur piketat e zhvillimit të projekteve konkrete në Shqipëri dhe rajon.

Në funksion të sfidave emergjente energjetike dhe mjedisore, gjatë konferencës janë prezantuar dhe diskutuar ndërmjet aktorëve kryesorë se si projektet aktuale afatshkurtra të iniciuara në Shqipëri dhe në rajon, trajtojnë këto sfida si nga perspektiva e një zhvillimi të qëndrueshëm, ashtu dhe ajo e sigurisë së furnizimit energjetik.