Shqipëria po përgatitet të marrë në dorëzim, mirëmbajtjen e rrjetit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), i cili është drejt përfundimit. Bëhet fjalë për një përvojë krejtësisht të re në fushën e gazit për vendin tonë dhe kompaninë shtetërore të gazit Albgaz.

Në funksion të kësaj përgjegjësie të re, Albgaz ka ngritur tashmë të parën Qendër të Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit në qytetin e Fierit, e cila është pajisur me gjithë mjetet dhe pajisjet e duhura si dhe me stafin e kualifikuar që do të punojë pranë saj.

Investimi kapi vlerën e 79 mln lekëve, ndërsa qendra u ndërtua nga Albgaz, në zbatim të marrëveshjes së arritur me gazsjellësin Trans Adriatic, sipas të cilës Pala Shqiptare siguron mirëmbajtjen e tubacionit dhe impianteve të gazsjellësit gjatë gjithë gjatësisë së gjurmës në territorin e Shqipërisë.

Qendra e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit, Fier

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe administratori i Albgaz, Arbër Avrami inspektuan nga afër investimin, që siguron ndërhyrjen në kohë ndaj çdo avarie në rrjetin e gazit. Gjithashtu, kompleksi i ri ofron kushtet e nevojshme të punës për personelin e Albanian Gas Service (AGS), që është kompania e krijuar nga Albgas dhe kompania italiane SNAM, në funksion të mirëmbajtjes së tubacionit të gazit.

Në fjalën e tij, ku të pranishëm ishin edhe inxhinierët ekselentë, të punësuar nga AGS e të rekrutuar përmes një procesi transparent, kryeministri Rama u ndal te plani i madh i zhvillimit të rajonit me mbështetje masive financiare nga Bashkimi Europian, ku një nga tre shtyllat e planit është pikërisht zhvillimi i sektorit të energjisë me prioritet investimet, ndër të cilat edhe investimi në fushën e gazit. Po ashtu, Rama tha se inxhinierët e rinj hyjnë në këtë front me kushte optimale për t’u rritur profesionalisht. “Bashkëpunimi ynë me kompaninë italiane është një bashkëpunim strategjik, shumë i rëndësishëm edhe në funksion të dijes, në funksion të rritjes së kapaciteteve tona në një fushë që është e re për ne dhe ku ne kemi krijuar kompaninë Albgaz, që është në zhvillim e sipër dhe jemi vërtetë shumë të motivuar që të ecim me hapa sa më të shpejtë përpara”,-tha kryeministri.

Bashkëbisedimi me inxhinirët ekselentë

Ministrja Balluku u ndal te ngritja e kapaciteteve infrastrukturore, por edhe të burimeve njerëzore, për t’iu përgjigjur më së miri përgjegjësisë së mirëmbajtjes së rrjetit të gazsjellësit Trans Adriatic.

“Shqipëria ka tashmë kapacitetet për t’i ofruar një projekti kaq të madh si TAP-i shërbimin e mirëmbajtjes. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe ne këtë nuk do ta bëjmë vetëm në Fier, por do ta bëjmë edhe në dy pikat e tjera aty ku po fillojmë të ngremë të njëjtën strukturë si dhe këtu”, nënvizoi Balluku. Ministrja i informoi të rinjtë edhe për një sërë projektesh, mbi të cilat Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke punuar së bashku me dy aleatët e saj, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i takon gazifikimit të vendit.

Ndërkaq, administratori i Albgaz foli për procesin e trajnimit të inxhinierëve të rinj, që kushtoi 1.3 mln euro. “Është hera e parë që kryhet një trajnim në këtë industri në Shqipëri, me një kosto prej 1.3 mln euro, të financuar nga TAP dhe Albgaz. Trajnimi i inxhinerëve është bërë në fillim në pjesën e teorisë dhe më pas, për një periudhë 9-mujore, inxhinierët kanë shkuar pranë aseteve të SNAM në Itali, ku janë trajnuar te pjesa laboratorike, por edhe në terren”,-tha Avrami.

Falë këtij procesi, në total u rekrutuan 36 të rinj shqiptarë. Ndërkohë që, Qendra e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit Fier u ndërtua në truallin e një kompleksi të vjetër industrial të ndërtuar në vitet ’70. Kompleksi përmbante një numër godinash që perveçse të amortizuara përtej çdo mundësie përdorimi, përbënin dhe një burim ndotje të ambientit. Kompleksi i ri u projektua sipas standardeve dhe kritereve me bashkëkohore, duke u mbështetur në modelet industriale të SNAM (Itali), partnerit të Albgaz, i cili është ndër operatorët e transmetimit më të mëdhej dhe teknologjikisht më të avancuar në Europë si dhe një nga më të mëdhejtë në botë. Kompleksi i ri përmban si elementë funksionalë: Godinën administrative, dy magazina të mbuluara, dy sheshe depozitimi si dhe një sistem rrugësh të brendshme që mundësojnë aksesin, manovrimin dhe operimin e automjeteve të specializuara dhe atyre të transportit, duke përfshirë ato shumë të gjata (për transport tubash).