Kompania shtetërore e gazit, Albgaz Sh.a, ajo amerikane Excelerate Energy L.P. (Excelerate), dhe kompania italiane Snam S.p.A (Snam) nënshkruan në Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit, mbi mundësitë e  bashkëpunimit për ndërtimin e një gazsjellësi nga Terminali i Vlorës në drejtim të infrastrukturave të tjera të mundshme të gazit natyror në Shqipëri.

Nëpërmjet këtij Memorandumi, Albgaz Sh.a, Excelerate dhe Snam S.p.A do të eksplorojnë së bashku zgjidhje, të cilat mund të furnizojnë potencialisht një impiant të depozitimit të gazit natyror në Shqipëri, duke ofruar kështu siguri energjetike në rajon.

Në aktivitetin e organizuar ishte e pranishme edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila vlerësoi bashkëpunimin me kompanitë lider në botë në fushën e gazit, siç është, Excelerate dhe Snam, teksa  theksoi se gazifikimi i vendit është një ndër prioritet e Qeverisë Shqiptare.

“E kemi thënë nga fillimi dhe unë e kam përsëritur me ambasadoren Kim, që pjesë shumë e rëndësishme e projektit është kthimi i Shqipërisë në një hub për shpërndarjen e gazit të lëngshëm amerikan. Pra rëndësia gjeopolitike  e këtij projekti nuk ndalet thjesht në rritjen e prodhimit energjetik në Republikën e Shqipërisë, por në forcimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, mbështetur në aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ministrja Balluku.

Presidenti dhe Shefi Ekzekutiv i Excelerate Steven Kobos deklaroi:

“Duke përfituar nga kapacitetet tona të operimit downstream dhe njëkohësisht duke bashkëpunuar me Shqipërinë për të eksploruar aksesin e vendit në energji të qëndrueshme, ne kemi mundësinë të ndërmarrin një hap të rëndësishëm/(kritik) drejt sigurisë energjetike të vendit. Së bashku me Snam dhe Albgaz, ne njohim impaktin potencial që ky gazsjellës mund të ketë për rajonin”.

Si një lider në teknologjitë e impianteve pluskuese të GNL-së, Excelerate ka siguruar energji të qëndrueshme dhe të pastër për tregjet mbarëbotërorë, duke zhvilluar dhe operuar 13 terminale GNL në botë. Ky Memorandum është shembulli i fundit i dedikimit të Excelerate për një integrim më të madh të shërbimeve të gazit dhe energjisë për konsumatorët.

Snam është një nga pronarët dhe operatorët më të mëdhenj të infrastrukturës energjetike në botë dhe një aksioner kryesor në Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP).

Kompania e Shërbimit të Gazit Shqiptar (Albanian Gas Services), si një ndërmarrje e përbashkët e Snam dhe Albgaz, e cila mirëmban rrjetin e transmetimit të gazit në Shqipëri, mund të operojë dhe mirëmbajë tubacionin e ardhshëm.

Administratori i Albgaz, Arber Avrami nënvizoi se “Kjo është një mundësi unike për Shqipërinë, për të bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj që mund të ofrojnë njohuri dhe përvojë thelbësore në mënyrë që të japin përfitime jo vetëm nga aktivitetet e transmetimit të gazit, por edhe për të shfrytëzuar një aset të rëndësishëm natyror siç është depozitimi nëntokësor i gazit në Dumre. Kjo mund të ofrojë mundësi sigurie të energjisë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe furnizim të besueshëm të energjisë për rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror”.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në Tiranë nga përfaqësues nga secili entitet: Arber Avrami, Administrator Albgaz; Oliver Simpson, Zëvendës President i Tregtisë, Excelerate; dhe Mario Franchin, Zëvendës President i “Global Solutions Commercial”, Snam.

Planifikimi pritet të fillojë menjëherë me përfaqësues nga secila kompani që formojnë një ekip koordinues.

Në fillim të këtij viti, Excelerate, së bashku me ExxonMobil dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkruan një Memorandumi i Mirëkuptimit për të kryer një studim të fizibilitetit për zhvillimin e mundshëm të një Terminali të importit të GNL në Portin e Vlorës në Shqipërinë e Jugut.