Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgaz Sh.a. dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP AG), nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi dhe Dorëzimi për Objektin e Seksionit Jugor në Fier. TAP do të projektojë, prokurojë dhe ndërtojë pikën e daljes së gazit në Fier, një investim disa milionë Euro. Sipas marrëveshjes, pasi ndërtimi i pikës së daljes së gazit në Fier të ketë përfunduar, pika e daljes së gazit do t’i dorëzohet shtetit shqiptar dhe do të jetë në pronësi, menaxhim dhe operim të plotë të tij.

Ndërtimi i strukturës së re është një moment historik për gazifikimin e Shqipërisë, pasi do të mundësojë një pikë interkonjeksioni midis sistemit të transportit TAP dhe infrastrukturës së ardhshme të gazit në Shqipëri.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm Kryeministri, Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri dhe Administratori  i Albgaz Sh.a , Arber Avrami.

Pika e re e daljes së gazit në Fier do të ofrojë një pikë hyrëse strategjike, për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, në rezervat e gazit në rajonin e Kaspikut. Ajo do të ndërtohet jashtë stacionit të kompresorit të TAP në Fier, do të ketë kapacitet të zgjerueshëm dhe mundësinë e rrjedhës së gazit në dy drejtime. Pika e daljes së gazit, që do të ndërtohet nga TAP, do të përfshijë gjithashtu struktura për uljen e presionit dhe për matjen fiskale të prurjes së gazit.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si një ndër hapat e shumta drejt synimit për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues të energjisë.

Ministrja Belinda Balluku, teksa vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes theksoi se, “Po punojmë për të sjellë risi në fushën e gazifikimi të vendit dhe në fushën e prodhimit të energjisë në bazë të gazit, siç është tashmë një marrëveshje e cila do të përfundojë ditët në vazhdim, një memorandum që shkruhet pas një jave me dy nga kompanitë më të mëdha në fushën e naftës dhe gazit amerikane siç është ExxonMobil dhe Excelerate Energy, të cilat kanë treguar interes shumë të madh për të ringritur në këmbë termocentralin e Vlorës dhe jo më teknologjinë ekzistuese, por me një teknologji moderne të gazit të lëngshëm”,  nënvizoi Balluku.

Administratori  i Albgaz Sh.a Arber Avrami, nënvizoi se  “kjo pikë dalëse është e një rëndësie të veçantë pasi nuk do të jetë vetëm pikënisja e gazifikimit të Shqipërisë jugore, por jemi shpresëplotë që do të jetë një nyje e rëndësishme e diversifikimit të resurseve energjetike, e cila jo vetëm do të garantojë sigurinë e furnizimit me gaz të vendit tonë, por gjithashtu do të jetë një portë dhe nyje e zhvillimit të sektorit energjetik rajonal”.

Pika e daljes së gazit në Fier përforcon rolin e TAP në zonën e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm si një Operator i besueshëm i Sistemit të Transmetimit (OST) por edhe si një partner aktiv në tranzicionin energjitik të Evropës.