Në datë 16 Maj 2022, u nënshkrua në Tiranë Memorandumi i Mirëkuptimit mes Albgaz sh.a. dhe Overgas Inc, mbi hulumtimin e mundësive për bashkëpunim sa i takon diversifikimit të burimeve të furnizimit me gaz natyror, çka hap siparin e kthimit të terminalit të LNG Vlorë në një projekt ndryshimi rajonal.

Ky memorandum shënjon hapin e parë në një rrugëtim bashkëpunimi me qëllim sigurinë energjitike, diversifikimin e burimeve dhe interkonektivitetin rajonal. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë autoritetet më të larta të vendit duke përfshirë Kryeministrin e vendit, Z. Edi Rama, Ministren e Infrastrukurës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku si dhe përfaqësues të Kuvendit. Gjithashtu në takim ishin të pranishëm personalitete të rangut ndërkombëtar si Sekretari amerikan i Shtetit Z. Mike Pompeo, si dhe përfaqësues të kompanive Overgas dhe Linden Energy.

Në fjalën e saj Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku u shpreh se ky Memorandum përfaqëson një moment të shënuar drejt realizimit të projekteve më strategjike sa i takon të ardhmes energjitike të vendit, duke përfshirë këtu terminalin e LNG Vlorë, rijetëzimin e TEC-it, po aq sa dhe për transformimin e tyre nga projekte të dedikuara për vendin në projekte të rëndësishme rajonale. Sipas Ministres Balluku ky memorandum dëshmon për interesin konkret të partnerëve shumë seriozë karshi vlerës që këto projekte përfaqsojnë po aq sa edhe gatishmërinë për bashkërendimin e punës drejt realizimit të tyre.

Serioziteti i kompanive si Linden Energy dhe Overgas, vëmendja e veçantë e aleatët strategjikë po aq sa edhe prestigji i partnerëve që po punojnë krah nesh në këtë sipërmarrje, e plotësojnë ekuacionin që i skicon këto projekte si zgjidhje të qëndrueshme të sfidave të së nesërmes, që jo vetëm do i krijojnë mundësitë vendit për të garantuar sigurinë energjitike, por do ta kthejnë Shqipërinë në një hub të rëndësishëm e kontributor rajonal.