Ditën e martë, datë 04.10.2022, u nënshkrua në Tiranë në prezencën e Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Znj. Belinda Balluku dhe Ambasadorit të Spanjës në Shqipëri Álvaro Renedo marrëveshja e bashkëpunimit reciprok mes Albgaz sh.a dhe kompanisë prestigjoze spanjolle ENAGAS. Kjo Marrëveshje e sigluar prej dy drejtorëve ekzekutivë të kompanive respektive vjen në vazhdën e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar midis palëve në Qershor 2022, si hap i dytë që konkretizon mundësitë reale të bashkëpunimit dhe ndërveprimit bazuar tek shqyrtimi i hapësirave për pjesëmarrjen e kompanive si ENAGAS në kapitalin e Albgaz sh.a si edhe integrimin potencial të kompanisë spanjolle në një sërë projektesh strategjike në sektorin e gazit natyror në Shqipëri.

Ky bashkëpunim reflekton vullnetin e kompanisë Albgaz sh.a dhe qeverisë shqiptare për të ndërvepruar me partnerë prestigjozë po aq sa edhe gatishmërinë e këtyre partnerëve për të qënë në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesë e realizimit të këtyre projekteve brenda strategjisë që e parasheh vendin tonë si një hub rajonal energjitik.

Në këtë kontekst, Marrëveshja evidenton interesin e shprehur prej ENAGAS për tu bërë pjesë e kapitalit të zotëruar nga Albgaz sh.a, si edhe veçon projektet specifike në të cilat ENAGAS është i interesuar të integrohet duke ofruar asistencën më të kualifikuar teknike dhe mbështetjen financiare, duke përfshirë këtu projektin IAP, Terminalin e LNG Vlorë, Projektin e depozitimeve nëntokësore në Dumre dhe Projektin e Shpërndarjes së Gazit në shkallë të vogël (Small Scale Distribution).

Këtë shprehje interesi, ENAGAS e konsideron si vlerë të shtuar për të ardhmen e kompanisë Albgaz në kuadrin e asistencës dhe mundësive të shtuara që sjell, por edhe eksperiencës në menaxhimin e projekteve madhore të gazit.

Kujtojmë se ENAGAS është kompania lider në operimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së transportit të gazit natyror në tregun spanjoll me 12 mijë kilometra linjë, tre vend-depozitime nëntokësore dhe katër terminale rigazifikimi. Krahas operimit në tregun spanjoll, ENAGAS ka shtrirë prezencën ndërkombëtare me projekte të rëndësishme në Meksikë, Kili, SHBA dhe Greqi. Gjithashtu, ENAGAS është aksioner në gazsjellësin TAP, dhe i interesuar për të marrë pjesë në projekte rajonale me qëllim diversifikimin e burimeve të furnizimit, sigurinë energjitike dhe dekarbonizimin.