Albgaz dhe SNAM së bashku do të ofrojnë mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit TAP në territorin shqiptar. Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, këtë të mërkurë u finalizua negocimi për Marrëveshjen e Mirëmbajtjes midis TAP-it dhe shoqërisë së përbashkët të krijuar nga Albgaz Sh.a e Snam S.p.a.. Të pranishëm ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Z.Damian Gjiknuri; Drejtori Menaxhues i TAP-it Z.Luca Schieppatti; administrator i Albgaz Z.Arbër Avrami; përfaqësuesi i kompanisë italiane SNAM Z.Sergio Busatto, drejtori i BERZH-it dhe ambasadorët e Zvicrës e Italisë në Tiranë.

Gjatë procesit të negociatave, qeveria shqiptare u ndihmua nga konsulentët e kompanisë “Roland Berger” falë mbështetjes financiare që qeveria e Konfederatës Zvicerane ka dhënë përmes SECO-s me qëllim asistencën teknike për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri e vlerësoi si mjaft të rëndësishme marrëveshjen për të ardhmen e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Do ta quaja një gur kilometrik në suksesin e këtij projekti kaq kompleks si gazsjellësi TAP. Për herë të parë, një kompani shqiptare si Albgaz, me ndihmën e asaj italiane SNAM do mund të marrë përsipër kryerjen e një shërbimi për një projekt kaq të madh e të rëndësishëm si gazsjëllësi TAP. Krijohet një vlerë e shtuar jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por mbi të gjitha nga ajo që Shqipëria ka nevojë, mbajtjen e njerëzve të kualifikuar brenda vendit”, theksoi ministri Gjiknuri.

Sipas tij, suksesi i projektit të gazsjellësit TAP do të bëjë të mundur shumë shpejt edhe gazifikimin e Shqipërisë por edhe ndërlidhjen me projektin tjetër të gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

“Po ka provë të vërtetë sesi funksionon administrata shqiptare karshi investimeve të mëdha TAP-i është shembulli i vërtetë. Shqipëria doli vendi më i suksesshëm që ky projekt të implementohej në kohë. Kjo realisht është një dekoratë krenarie që ne e themi kudo sepse bëmë këtë të mundur karshi shumë dyshimeve që kishin të tjerët në momentet kur filloi ky projekt”, insistoi ministri Gjiknuri.

“Jam me të vërtetë i lumtur që sot shënojmë një hap tjetër përpara në plotësimin e hapave infrastrukturorë strategjikë, që na sjellin akoma më pranë fillimit të operimit në vitin 2020. TAP-i është jep kontribut për zhvillimin e tregut shqiptar të gazit me krenari.Ne mirëpresim të mbështesim dhe të bashkëpunojmë me ofruesin e shërbimit të mirëmbajtjes që do të krijohet së shpejti”, u shpreh Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati.

Drejtuesi i shoqërisë shtetërore shqiptare të gazit Albgaz, Z.Arbër Avrami dha detaje për marrëveshjen e nënshkruar. “Marrëveshja e Mirëmbajtes, e para e këtij lloji në Shqipëri, nënshkruhet midis TAP dhe Albania Gas Services Company për një periudhë fillestare 7 vjet, me një staf fillestar prej 52 të punësuarish, 90% të të cilëve të rinj shqiptare. Ata do të trajnohen dhe do të certifikohen nga SNAM, në Itali dhe në Shqipëri, në 6-mujorin e parë të 2019. Albania Gas Services Company do të ketë ‘degët’ e saj në të paktën katër qytete të vendit: Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier. Ajo do të ndërtojë qëndrat e veta të mirëmbajtjes, të projektuara sipas standarteve të SNAM”, theksoi administratori i Albgaz Z.Arbër Avrami.

Pas nënshkrimit, një fjalë rasti mbajti edhe përfaqësuesi i kompanisë shtetërore italiane të gazit SNAM.

Siç ju e dini, kompania jonë ka një eksperiencë 75 vjeçare në fushën e industrisë së gazit. Jemi të gatshëm dhe të angazhuar për të sjellë eksperiencën tonë në Shqipëri me synim realizimin me sukses të marrëveshjes për mirëmbajtjen e tubacionit të TAP. Kjo marrëveshje është një hap edhe për bashkëpunime të tjera në të ardhmen mes kompanive tona. Kemi patur bisedime intensive në këto muaj deri tek kjo marrëveshje por besoj se kemi arritur një produkt të kënaqshëm për të gjithë palët”, nënvizoi përfaqësuesi i kompanisë italiane SNAM Sergio Busatto.

TË DHËNA TEKNIKE

Albgaz, Operatori shqiptar i Sistemit të Transmetimit, u krijua pak pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës të ndryshuar në vitin 2016 ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe TAP. Kompania shtetërore italiane SNAM është një nga Operatorët e Sistemit të Transmetimit me përvojën më të pasur në Evropë.

Për një periudhë afro 6 muaj Albgaz dhe partneri i saj SNAM negociuan me TAP në terma legale, teknik dhe komercial një marrëveshje mirëmbajtjeje. Për këtë qëllim Albgaz (75%) dhe partneri i përzgjedhur SNAM (25%), në koordinim të plotë me TAP, kanë themeluar shoqërinë aksionere “Albania Gas Services Company” ShA (AGSCo) si subjekti i cili hyn në marrëdhënie kontraktuale me TAP.

Marrëveshja mes TAP dhe konsorciumit të krijuar nga kompania shqiptare Albgaz dhe ajo italiane SNAM është për një periudhë fillestare 7 vjet e shoqëruar edhe me një plan biznesi. AGSCo do të këtë një staf prej 52 punonjësish dhe 3 qendra mirëmbajtjeje respektivisht në: Korçë, Berat dhe Fier. Ky staf do të trajnohet nga SNAM në Itali dhe në Shqipëri në 6-mujorin e parë 2019.