Në perspektivën e zhvillimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare të Operatorit të Kombinuar të Gazit Natyror në Shqipëri, një delegacion i shoqërisë Albgaz Sh.a, i kryesuar nga administratori Z.Arber AVRAMI, mori pjesë në konferencën “Greqia përballë sfidave të tranzicionit të energjisë “.

Konferenca u zhvillua ditën e shtunë, datë 8 Shtator 2018 në Selanik nën mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Energjisë, së Greqisë dhe praninë e ministrit grek të energjisë, Z.George Stathakis.

Administratori i Albgaz Sh.a Z.Arber AVRAMI i pranishëm në konferencë krah homologëve të tij Europianë, gjatë fjalës së tij në konferencën e Selanikut foli për progresin e Albgaz në më pak se dy vjet nga krijimi, sfidat dhe perspektivat në zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri, duke u ndalur në rendësinë e projektit TAP, tregu i gazit si dhe mundësia e fillimit nga ana e Shqipërisë e projektit IAP.

“TAP përfaqëson mundësinë më të mirë për të zhvilluar interkoneksionin brenda vendeve të Ballkanit Jugor, por edhe më shumë, të gjithë ne duhet të angazhohemi dhe të përfitojmë nga kjo mundësi si brenda ashtu edhe nëpërmjet ndërlidhjes midis vendeve tona”.- u shpreh Z.Avrami

Në lidhje me mundësitë e ndryshme që zhvillojnë kërkesën në vend Albgaz po ndjek, prioritetin e parë të Gaz Master Planit, si tubacioni i Fier-Vlorës që jep gaz për TEC-in e parë me bazë gazore në Shqipëri. Gjithashtu Z. Avrami vuri theksin mbi sipërmarrjen e përbashkët të Albgaz dhe SNAM Rete Gas, të cilën shpreson të përmbyllet brenda muajt tetor 2018, i cili do të ofrojë shërbime të operimit dhe mirëmbajtjes për aktivitetet e TAP.

Projekti tjetër i rëndësisë së veçantë është ai i IAP (Ionian Adriatic Pipeline) gazsjellësit të Europës juglindore, Vetë rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe pasi pritet të rrisë shumëllojshmërinë e furnizimit me gaz për vendet e Ballkanit. IAP kalon përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë, ku lidhet me pjesën tjetër të rrjetit europian të transmetimit të gazit.

Krahas ministrit grek të energjisë, Z.AVRAMI, u takua me të tjerë përfaqësues të lartë të kompanive homologe energjitike,si; Bulgartransgaz EAD, ,Operatori Grek i sistemit të Transmetimit të Gazit, etj. Për Albgaz Sh.a kjo konferencë kishte një interes të veçantë për thelluar kontaktet me homologët në rajon si dhe për të krijuar “ura bashkëpunimi”, si për zhvillimin e tregut të brendshëm ashtu edhe për një “zhvillim të harmonizuar” të të gjithë rajonit.

Rajoni i Ballkanit jugor është një treg i rëndësishëm i energjisë, i cili luan një rol kyç në rritjen e sigurisë së furnizimit me gaz në zonën më të gjerë, duke mundësuar furnizimin e diversifikuar në tregun evropian të energjisë dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar me projekte me interesa të përbashkëta.

Në këtë aspekt, një dialog i hapur dhe bashkëpunues midis operatorëve të sistemit të transmetimit të gazit dhe autoriteteve të shquara në industrinë e gazit në rajonin e Ballkanit Jugor është jetësore për zhvillimin e një rrjeti të energjisë të ndërlidhur, efikas dhe të qëndrueshëm, me qëllim që të përfitojnë të gjithë aktorët e përfshirë.