Ditën e enjte, datë 30.06.2022, në Madrid u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Albgaz sh.a. dhe kompanisë prestigjoze spanjolle Enagas, i cili përcakton mundësitë dhe hapësirat e bashkëpunimit sa i takon një sërë projektesh duke përfshirë IAP, Terminalin LNG të Vlorës, Magazinimin Nëntokësor të gazit në Dumre dhe programin e Shpërndarjes së gazit të lëngshëm në shkallë të vogël.

Adminsitratori i Albgaz Z. Arber Avrami dhe CEO i Enagas Z. Arturo Gonzalo nënshkruan memorandumin  në prezencën e personaliteteve të rëndësishme të të dy vendeve si; Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama, Zëvendës Kryeministrja e Spanjës Znj. Teresa Ribera dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Znj. Belinda Balluku.

Ky memorandum dëshmoi gatishmërinë e një partneri prestigjoz për tu angazhuar në projektet energjitike të ndërmarra nga qeveria shqiptare, çka dëshmon për seriozitetin e strategjisë që e parasheh transformimin e vendit në një hub rajonal energjitik. Objekti i këtij memorandumi përfshin gjithashtu dakordësinë mbi zhvillimin e një analize mbi fizibilitetin e angazhimit të përbashkët në realizimin e këtyre projekteve.

ENAGAS është kompania lider në menaxhimin e infrastrukturës së transportit të gazit në tregun spanjoll. Me mbi 50 vjet përvojë në sektorin e gazit, asetet e Grupit Enagás në Spanjë përfshijnë më shumë se 12,000 km tubacione gazi, tre depo nëntokësore të gazit natyror dhe katër terminale të rigazifikimit të gazit të lëngshëm. Sa i përket prezencës ndërkombëtare, mund të përmendet prania e Enagas në Meksikë, SHBA, Kili, Peru dhe Greqi, ndërkohë Enagas  është paralelisht edhe aksioner në gazsjellësin TAP, teksa synon ta rritë prezencën e saj në Korridorin Jugor të Gazit.