Vetëm një ditë mbas Ceremonisë së Nënshkrimit të Marrëveshjes “Joint Venture” midis tij dhe SNAM Italia, e cila përfaqëson nivelin më të lartë të standarteve në fushën e operimit dhe mirëmbajtjes së rrjeteve të transmetimit të gazit, me një pjesëmarrje triumfuese të Albgaz me 75% të aksioneve, Albgaz sh.a në kohë rekord vazhdon të ndjek angazhimet në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare të niveleve më të rëndësishme.

Ditën e martë, administratori i Operatorit të Kombinuar të Gazit Natyror në Shqipëri Z. Arber Avrami, së bashku me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Damian Gjiknuri, përfaqësuan delegacionin Shqiptar, në Ceremoninë e përurimit të gazsjellësit TANAP, pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili do të transportojë përmes Turqisë në Evropë gazin e Azerbajxhanit.

Ceremonia e përurimit u organizua nën patronazhin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në qytetin Eskishehir, nga ku morën pjesë kryetarët e shteteve dhe qeverive mike si dhe ministrat e energjitikës të vendeve përkatëse pjesëmarrëse në këtë projekt, udhëheqësit e lartë të kompanive të energjisë dhe burokratët e lartë, ku në radhët e Shqipërisë ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Damian Gjiknuri dhe Administratori i Albgaz Sh.a Z. Arber Avrami.

TANAP-i do të ketë një kapacitet total vjetor prej 16 miliardë metra kub gaz, nga të cilat 6 miliardë janë për tregun turk, ndërsa 10 miliardë metra kub do të dërgohen në Evropë. Gazsjellësi (Transanadollian) TANAP, ka filluar në kufirin Turqi-Gjeorgji dhe do të përfundojë në qytezën kufitare Ispala (në kufi me Greqinë). Pastaj projekti do të vazhdojë me gazsjellësin Transadriatik (TAP), i cili do të kalojë në Ballkan dhe zgjatet deri në Evropë.