ALBANIAN GAS SERVICE COMPANY

ALBANIAN GAS SERVICE COMPANY

ags

Albanian Gas Service Company (AGSCo) është konsorciumi i krijuar mes Albgaz dhe SNAM, dy kompanitë shtetërore të gazit në Shqipëri dhe Itali, me qëllim kryerjen e funksionimit, mirëmbajtjes dhe shërbimeve teknike të tubacionit të Gazsjellësit Trans Adriatic (TAP), për pjesën që kalon në territorin e Shqipërisë.

Konsorciumi u krijua pas një procedure të hapur ndërkombëtare mes kompanive më të mira europiane, të cilat shprehën interesin për t’u bërë partnere me kompaninë shtetërore shqiptare të gazit. Aksionet e AGSCo ndahen në masën 75% nga Albgaz dhe 25 % nga SNAM. Kompania shtetërore italiane e gazit është një nga operatorët më të rëndësishëm evropianë të gazit natyror, teksa asetet e saj janë mbi 41 mijë kilometra tubacione transmetimi gazi natyror, në Itali e jashtë saj. Qarkullimi vjetor i SNAM është i rendit 2,5 miliardë Euro me një vlerë tregu kompanie të kapitalizuar në bursë të rendit 13 miliard Euro.

Shoqëria e përbashkët shqiptaro-italiane negocioi me gazsjellësin Trans Adriatic në terma ligjorë, teknikë dhe tregtarë një marrëveshje, duke finalizuar të drejtën e administrimit të mirëmbajtjes së gazsjellësit nga kompania shqiptare dhe ajo italiane.

Kjo marrëveshje ka një kohëzgjatje fillestare 7-vjeçare, teksa është e shoqëruar edhe me një plan biznesi. Sipas dokumentit të nënshkruar, AGSCo ka një staf fillestar prej 52 punonjësish, 90% të të cilëve janë të rinj shqiptarë. Ata janë trajnuar dhe certifikuar nga SNAM, në Itali dhe në Shqipëri, gjatë vitit 2019. Kjo edhe në bazë të marrëveshjes, ku kompania italiane SNAM garanton kualifikimin e punonjësve të Joint Venture dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standardeve të sektorit.

Gjithashtu, sipas marrëveshjes së nënshkruar me TAP, Albania Gas Services Company ka “degët” e saj në të paktën katër qytete të vendit e më konkretisht në: Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier. Ndërsa, paralelisht po ndërton qendrat e veta të mirëmbajtjes, të projektuara sipas standardeve të SNAM, respektivisht në: Korçë, Berat dhe Fier.

Aktiviteti i mirëmbajtjes tashmë është në proces, ndërkohë që pas vitit 2020, kur pritet edhe fillimi i operimit të TAP, shoqëria e përbashkët do të ofrojë gjithë spektrin e shërbimeve në fjalë.