Nënshkrimi i Memorandumit për Vlora Energy Hub
Tiranë – Albgaz sh.a. ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për zhvillimin e "Vlora Energy Hub" dhe Marrëveshjen Kuadër për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG).
Këto akte janë pjesë e një nisme të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare, në vijim të fokusit të Kryeministrit z. Edi Rama për forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e burimeve energjetike.
Procesi është finalizuar në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, nën drejtimin e ministrit z. Enea Karakaçi, si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Memorandumi i Mirëkuptimit dhe Marrëveshja Kuadër u firmosën nga Administratorja e Albgaz sh.a., znj. Amarda Kapaj, si dhe nga përfaqësues të kompanive partnere amerikane dhe greke. Në ceremoni ishte e pranishme Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, si dhe e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, të cilat shprehën mbështetjen e tyre për zhvillimin e këtij projekti.
Zhvillimi i hub-it energjetik të Vlorës përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të ndërtimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri dhe rritjes së rolit të vendit në tregun rajonal të energjisë. Ky projekt synon të krijojë një pikë hyrëse dhe shpërndarëse për gazin natyror të lëngshëm (LNG), duke kontribuar në diversifikimin e burimeve dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit.
Në të njëjtën kohë, këto zhvillime do të ndikojnë pozitivisht në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe në përfshirjen e Shqipërisë në projekte me rëndësi strategjike për rajonin.
Nënshkrimi i Memorandumit për Vlora Energy Hub
Përmes angazhimit të saj në këtë nismë, Albgaz vijon të konsolidojë rolin si operator i sistemit të transmetimit të gazit në vend, duke kontribuar në ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet europiane dhe në funksion të integrimit të tregut energjetik shqiptar me atë të Bashkimit Europian.