Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku, në samitin botëror të klimës në Baku zhvilluan një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, Z. Ilham Aliyev. Pas takimit, palët nënshkruan edhe memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgaz Sh.a  dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.

Në një deklaratë nga Baku pas nënshkrimit të marrëveshjes, Znj. Balluku u shpreh se kjo marrëveshje synon gazifikimin e vendit që do të nisë nga qyteti i Korçës në vitin 2025.

“Këtu në Baku gjatë zhvillimeve të COP 29 ne patëm edhe një marrëveshje të re me qeverinë e Azerbajxhanit, për sa i përket gazifikimit të Korçës. Është një lajm shumë i mirë ky, i cili ka nisur dhe është ngjizur prej kohësh midis Albgaz-it të Shqipërisë dhe Socar-it të Azerbajxhanit, por tashmë po bëhet realitet”, tha Znj.Balluku.

Gjithashtu, Ministrja Znj.Balluku u shpreh, se-“ Parashikohet që ky projekt të nisë gjatë vitit 2025 për tu dorëzuar në vitin 2027. Ajo çka ne synojmë është që të mbulojmë një rrjet të tërë shpërndarje gjatë gjithë qytetit të Korçës, por nga ana tjetër kryesisht edhe në bizneset të cilat operojnë në këtë qytet. Duhet pasur parasysh sesa më shumë do të shtrihet gazifikimi i Shqipërisë, bazuar në planin strategjik për gazifikimin e vendit, aq më shumë do të ulen kostot përsa i përket këtij produkti që do ti jepet qytetarëve. Në fillim sigurisht shteti do të nisë duke e mbështetur këtë procedurë të re, këtë produkt të ri dhe shërbim të ri, për më pas duke e zgjeruar këtë edhe në zonën e Pogradecit dhe në zonën e Ersekës dhe duke pasur parasysh që ne synojmë që industria të këtë alternativën e zgjedhjes të energjisë, jo vetëm përdorimin e energjisë elektrike, por edhe të gazit, ne parashikojmë që ky gazifikim i vendit të vazhdojë deri në vitin 2030, duke mbuluar pjesën më të madhe të qyteteve të cilat kanë edhe pjesë industriale apo biznese të cilat mbështeten nga industria e gazit”.