Takimi i Pestë Ministerial për Korridorin Jugor të Gazit

Në Baku, Azebajxhan, datë 20 Shkurt 2019, u mbajt takimi i Pestë Ministerial për Korridorin Jugor të Gazit (KJG), një nismë e rëndësishme kjo e mbështetur nga BE prej të cilit pritet të transmetohet gazi i Azerbajxhanit në Europë.  Korridori Jugor i Gazit është një nga projektet prioritare për BE dhe parashikon transportimin e 20 miliardë metra kub të gazit Azer nga rajoni Kaspik përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë në Evropë. Ky projekt parashikon sigurimin e energjisë për disa shtete, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Zyrtarë të lartë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara, Turqia, rajoni i Detit Kaspik dhe Ballkanit u mblodhën për takimin e Pestë të Këshillit Këshillues të Korridorit Jugor të Gazit në Baku për të diskutuar situatën aktuale me zhvillimin e projektit të gazit të Korridorit Jugor të Gazit si pikëpamje të shkëmbimit rreth çështjeve të sigurisë ndërkontinentale të energjisë. 

Pjesëmarrësit në eveniment përfshinë ministrat e energjetikës nga shtetet anëtare të Korridorit Jugor të Gazit si dhe vendet që lidhen direkt ose indirekt me projektin si: Azerbajxhan, Gjeorgjia, Turqia, Greqia, Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnia & Herzegovina, Serbia, Rumania, Bullgaria si dhe për shkak të rëndësisë strategjike edhe USA (me përfaqësues të Departamentit të Energjisë).
Presidenti Ilham Aliyev iu drejtua konferencës, duke folur për diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë, realizimin e projektit ndërkombëtar të Korridorit të Gazit Jugor dhe rolin e hidrokarbureve nga Azerbajxhani në përmirësimin e sigurisë energjetike të Evropës.
Vendi ynë u përfaqësua nga Zv. Ministri i Infrastrukturës Z. Artan Shkreli dhe Z. Arbër Avrami Administratori i Operatorit të Gazit Natyror Albgaz Sh.a. Në seksionin mbi zhvillimin e këtij projekti dhe sfidat e tij, të kryesuar nga Ministri i Energjisë i Azerbajxhanit, ishin pjesëmarrës përfaqësues të Ministrive të Vendeve nga kalon Korridori Jugor i Gazit : Azerbajxhan, Gjeorgji, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali.

Në fjalimin  e tij Z. Avrami prezantoi  gjendjen e sektorit të gazit në Shqipëri, përpjekjet e para të Qeverisë Shqiptare përmes AG për të ndërtuar kapacitetet komerciale, teknike e rregullatore dhe për të inicuar projekte konkrete që mbështeten në KJG si: TPP Vlorë dhe mundesinë që hap TAP për ta kthyer Shqipërinë në një “nyje” energjitike të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuadër “rajonal” u cilësuan si zhvillime stratgjike të rëndesishme për t’u ndjekur, financuar dhe kapitalizuar: Projekti IAP që ndërlidh Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnie & Herzegovinën; Projekti ALKOGAP, Projekti IAP dhe Interkonektori Korçë-Ohër.

Shqipëria, përmes Z.Avrami theksoi jo vetëm oportunitetet që hap TAP duke kaluar në vendet respektive, por theksoi në veçanti edhe mundësitë e reja që hapen për bashkëpunimin rajonal, objektiv që shkon tërësisht në “linjë” edhe me përkujdesjen institucionale europiane për Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu gjatë vizitës në Baku, Z. Shkreli dhe Z. Avrami si përfaqësues të Shqipërisë zhvilluan një seri takimesh bilaterale si (i) në kuadër institucional me përfaqësues të Minstrive të Energjisë të Azerbajxhanit , Turqisë, Greqisë, Bullgarisë, Italisë e Kroacisë ashtu edhe (ii) në kuadër të Subjekteve TSO pjesëmarrëse më të rëndësishme në Ministerial; vete Konsorciumi TAP, SNAM Spa (TSO e Italisë), PLINACRO (TSO e Kroacisë), SOCAR (TSO Azerbajxhanit), TANAP (TSO e Turqisë), ICGB (Gazsjellësi Interkonektor Greqi-Bullgari), etj.

Një takim të veçantë Z. Avrami e pati edhe me përfaqësuesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, pjesëmarrës në këtë Ministerial.

Shperndaj