OBJEKTIVAT STRATEGJIKE TË SHOQËRISË SË GAZIT  ALBGAZ SH.A. PËR PERIUDHËN 2017-2018

Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 848, datë 07.12.2016, “Për krijimin e shoqërisë së gazit natyror “Albgaz” Sh.a. dhe përcaktimin e autoritetit publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të shoqërisë “Albpetrol” Sh.a dhe “Albgaz” Sh.a. është përgatitur në mbështetje dhe për zbatim të nenit 36, pika 2 dhe 5, nenit 51, pika 2 dhe 4, neni 57, neni 80, të ligjit Nr.102/2015, datë 23.09.2016, “Për sektorin e gazit natyror”, si dhe të nenit 4, të ligjit Nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar.

Në mbështetje dhe për zbatim të VKM Nr. 848, datë 07.12.2016, në datën 06.01.2017 u bë rregjistrimi i shoqërisë “Albgaz” Sh.a. në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në përputhje me sa është përcaktuar në nenin 36, pika 2 dhe 5, si dhe në nenin 80, të ligjit Nr.102/2015, datë 23.09.2016, “Për sektorin e gazit natyror”, në projektvendim është përcaktuar që shoqëria “Albgaz” Sh.a, do të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e operatorit të sistemit të transmetimit dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror.

Shoqëria “Albgaz” Sh.a. gjatë periudhës 2017- 2018 do të angazhohet për të realizuar objektiva dhe detyra në këto drejtime kryesore:

Së pari: Aktiviteti në periudhën 2017- 2018 për transportimin dhe shpërndarjen e gazit natyror nëpërmjet infrastrukturës ekzistuese te gazit

– Do të ndjekë aktivitetin e transportimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, përfshirë edhe kontratat me konsumatorët për shpërndarjen e gazit (ndërkohë që furnizuesi do të jetë Albpetrol Sh.a.).

– Do të ketë në ndjekje nëpërmjet drejtorisë përkatëse të shoqërisë, edhe gjithë asetet e infrastrukturës ekzistuese të gazit që i kanë kaluar shoqërisë “Albgaz” Sh.a., duke ndërmarrë veprimet dhe investimet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe më tej edhe rehabilitimin e kësaj infrastrukture.

– Do të sigurojë bashkëpunim me shoqërinë Albpetrol Sh.a. si dhe me shoqëritë e tjera hidrokarbure që janë duke operuar në kuadër të marrëveshjeve Hidrokarbure, sikurse janë kompanitë “Bankers Petroleum Albania “ Ltd, SHELL Albania, etj.

Së dyti: Aktiviteti për periudhën 2017 -2018 në projekte të transportimit dhe shpërndarjes së gazit natyror që kanë të bëjnë me zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri përfshirë edhe interkoneksionin rajonal.

Në aktivitetin teknik të shoqërisë “Albgaz” Sh.a. (lidhur me pjesëmarrjen e shoqërisë direkt ose në emër të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë) do të jetë pjesëmarrja në projekte të transportimit dhe shpërndarjes së gazit natyror që kanë të bëjnë me zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri, apo në projekte interkoneksioni rajonal dhe Europian, përfshirë edhe angazhimin e shoqërisë në marrëveshje bilaterale ose multilaterale vetëm ose në bashkërendim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, sikurse është edhe Traktati për krijimin e Komunitetit të Energjisë.

– Angazhimi në bashkëpunim direkt ose indirekt (edhe me subjektet përkatëse të Malit të Zi) në realizimin e projektit të Gazsjellësit Ionian Adriatik (Ionian Adriatic Pipeline –IAP).

– Angazhimi në bashkëpunim direkt ose indirekt (edhe me subjektet përkatëse të Kosovës) në realizimin e projektit të Gazsjellësit Shqipëri – Kosovë (ALKOGAP), ku gjatë vitit 2017 do të punohet për të përgatitur studimin e parafizibilitetit për këtë projekt. (Është miratuar një financim prej 0,3 milionë Euro nga WBIF).

– Angazhimi në bashkëpunim direkt ose indirekt (edhe me shoqërinë TAP AG, si dhe në kuadër të projektit me SECO) në realizimin e projektit të Gazsjellësit që do të lidhë projektin TAP me TEC-in Vlorë, duke filluar që gjatë fazës së përgatitjes së Studimit të Fizibilitetit. (Është miratuar një financim prej 0,3 milionë Euro nga Qeveria Zviceriane (SECO)).

Së treti: Shoqëria “Albgaz” Sh.a. do të angazhohet për të siguruar një bashkëpunim institucional dhe ligjor në aspektin e zhvillimit strategjik edhe me shoqëri dhe institucione të huaja të fushës së gazit, si dhe do të kërkojë të realizojë pjesëmarrjen e këtyre shoqërive në forma të ndryshme bashkëpunimi, për të zhvilluar projekte konkrete në sektorin e transportimit dhe shpërndarjes së gazit natyror që kanë të bëjnë me zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri, ose në kuadër rajonal.

Së katërti: Një objektiv i rëndësishëm strategjik i shoqërisë “Albgaz” Sh.a. do të jetë edhe anëtarësimi dhe bashkëpunimi me organizma dhe shoqata rajonale të fushës së gazit

– Ndjekja e proçedurave për anëtarësimin e shoqërisë Albgaz Sh.a. në shoqatën Europiane të Operatorëve të transmetimit të gazit (ENTSO-G),

– Angazhimi në aktivitetet në kuadër të Traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë, duke marrë pjesë në Forumin e Gazit, në Grupin e Gazit për sigurinë e furnizimit, etj.

Së pesti: Një aspekt tjetër i rëndësishëm i shoqërisë “Albgaz” Sh.a. do të jetë ngritja brenda një periudhe 3 mujore dhe funksionimi i Këshillit Tekniko- Shkencor të shoqërisë (si një Strukturë ad-hoc I përbërë nga ekspertë teknicienë që kanë kualifikim dhe ekspertizë të konfirmuar në fushën e gazit dhe të hidrokarbureve në tërësi,), i cili do të ketë për objekt

  • Shqyrtimin dhe vlerësimin tekniko-shkencor duke përgatitur mendimin përkatës për programet, projektet, studimet si dhe marrëveshjet në fushën e gazifikimit dhe infrastrukturës së tij të transmetimit, shpërndarjes, depozitimit dhe GNL, të cilat përgatiten nga drejtoritë e shoqërisë “Albgaz” Sh.a. apo në bashkëpunim me institucione dhe subjekte konsulence.

Së gjashti: Sikurse përcaktohet edhe në pikën 7 të VKM nr. 848, datë 07.12.2016, shoqëria “Albgaz” sh.a. në përputhje dhe respektim të procedurave të përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr. 102/2015, datë 23.09.2016, “Për sektorin e gazit natyror”, do të aplikojë menjëherë pranë Entit Rregullator të Energjisë, për certifikim si operator transmetimi. Ndërkohë, si dhe sipas procedurave të përcaktuara në nenet 22, 23 dhe 24, të ligjit nr. 102/2015, datë 23.09.2016, “Për sektorin e gazit natyror” shoqëria “Albgaz” sh.a. do të aplikojë për pajisjen me licencë për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror.

Së shtati: Një objektiv i rëndësishëm i shoqërisë “Albgaz” Sh.a., do të jetë edhe garantimi i financimit të aktivitetit të shoqërisë, dhe specifikisht për periudhën 2017 – 2018.

Referuar përcaktimeve të pikës 8 të VKM Nr. 848, datë 07.12.2016, shoqëria “Albgaz” Sh.a., nga krijimi i saj deri më 31 dhjetor 2017, do të financohet nëpërmjet fondeve që do të sigurohen nga  marrëveshja e huas, e lidhur me shoqërinë “Albpetrol” Sh.a., por edhe/ose nga fonde që siguron mbi bazën e marrëveshjeve me institucione financiare dhe/ose donatorë vendas apo ndërkombëtarë.