Shqipëri-Maqedoni hedhin hapat e para për ndërlidhjen me rrjet gazi

notifications

Në pritje të fillimit të punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Manastir, Shqipëria dhe Maqedonia ndërmarrin hapat e para edhe për lidhjen e tyre me rrjet gazi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Z.Damian Gjiknuri priti sot në një takim zyrtar Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë Z.Kreshnik Bekteshi.

Pas takimit, në prezencën e dy ministrave, administratori i kompanisë shtetërore shqiptare të gazit Albgaz Z.Arbër Avrami dhe ai i Agjencisë së Burimeve Energjetike të Maqedonisë Z.Bajram Rexhepi nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për kordinimin e përpjekjeve në kuadër të projektit të interkonjeksionit të rrjeteve të gazit natyror mes dy vendeve.

Ministri Gjiknuri tha se dy vendet tanimë e kanë drejt fazave finale procesin e tenderimit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV dhe në këtë shembull duhet ecur edhe me gazin.

“Ky nënshkrim i sotëm mes dy kompanive tona të gazit, është jashtëzakonisht i nevojshëm. Ne kemi mundësi që me këtë projekt të përbashkët që sapo nisim dhe me këtë bashkëpunim të mund të aplikojmë edhe në Bashkimin Evropian për mbështetje financiare pasi është një axhendë që përputhet plotësisht qoftë me procesin e Berlinit apo axhendën e konektivitetit rajonal. Jam i bindur se lidhja me gazsjellës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të jetë me shumë rëndësi për të dyja vendet. Do të jetë një projekt shumë fizibël sepse janë shumë afër, pra pika e daljes afër Bilishtit apo Korçës do të jetë shumë afër me kufirin e Maqedonisë, çka bën që projekti të ketë një kosto më të ulët por dhe përfitimet të jenë të mëdha”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Në vlerësimin e ministrit Bekteshi, Shqipëria dhe Maqedonia janë pjesë e Komunitetit të Energjisë nga ku rrjedhin edhe shumë obligime të cilat përmbushen vetëm përmes hapave konkrete.

“Marrë parasysh edhe procesin e Berlinit, ne si dy vende fqinje integrohemi, lidhemi me njëri-tjetrin jo vetëm me lartpërçues siç e theksoi zoti Gjiknuri por njëkohësisht fillojmë hapat për ndërlidhjen edhe me gaz. Ndaj, dua të theksoj faktin se jemi më shumë se të interesuar që të thellojmë bashkëpunimin dhe dua tu dëshiroj të dyja kompanive respektive që sa më shpejt, grupet e punës të fillojnë të punojnë në mënyrë teknike që në një afat sa më të shkurtër këtë projekt ta kemi realitet midis dy vendeve”, nënvizoi ministri Bekteshi.

Memorandumi i firmosur mes Albgaz dhe Mer JSC Skopje parashikon themelimin e një grupi pune të përbashkët të gazit; vlerësimin dhe hartimin e projekt idesë për linjën e interkonjeksionit ndërmjet dy vendeve si dhe përcaktimin e parametrave teknik; harmonizimin e studimeve të të dyja vendeve përkatëse; përgatitjen e një dokumenti final ku të bëhet prezantimi i korridorit si një i vetëm dhe aplikimi në Sekretariatin e Energjisë për të vendosur projektin në listën PMI dhe PECI.

Share on