Albgaz Sh.a pjesë e Rrjetit Europian të Operatorëve të Transmetimit të Gazit Natyror

Operatori i Kombinuar i Gazit Natyror në Republikën e Shqipërisë, merr statusin e vëzhguesit pranë ENTSO-G, Rrjetit Evropian të Operatorëve të Transmetimit të Gazit Natyror.

ENTSO-G ka pranuar aplikimin e kompanisë Albgaz Sh.a për tu bërë pjesë e saj. Statusi si vëzhgues u zyrtarizua në Bruksel, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të ENTSO-G dhe me firmosjen e antarësimit nga administratori i Albgaz Sh.a Z. Arber Avrami.

Statusi i antarësimit si vëzhgues është niveli më i lartë i antarësimit për një vend jo antarë në Bashkimin Europian siç është Shqipëria. Tashmë Albgaz Sh.a ka të drejtën për të marrë pjesë në të gjitha takimet dhe mbledhjet e organizuara nga Asambleja e Përgjithshme e ENTSO-G dhe grupet e punës përkatëse në nivel evropian.

Aktualisht, Albgaz Sh.a listohet në krah të OST-ve më prestigjoze duke patur edhe vendin e saj në hartën online të antarëve në faqen zyrtare të ENTSO-G.

Mbas zyrtarizimit të antarësimit, Albgaz është i ftuar të marr pjesë, në  takimin  e parë të External Contact Platform Meeting, krijuar nga ENTSO-G dhe me mbështetjen e Sekretatiatit të Komunitetit të Energjisë, për vendet jo antare ne BE, ku do të diskutohet për çështjet e zhvillimit të kodeve të rrjetit, tarifave, interoperabilitetit dhe çështje të tjera të zhvillimit të një rrjeti evropian të gazit natyror.

Të gjitha këto zhvillime kanë një rëndësi të madhe për Albgaz Sh.a, pasi vendos Shqipërinë në hartën evropiane të gazit natyror si burimi më i pastër fosil i energjisë. Tubacioni i gazit Fier-Vlorë, projekti i parë prioritar në Masterplanin e Gazit të Shqipërisë tashmë është zyrtarisht pjesë e planit 10-vjeçar të zhvillimit të ENTSO-G.

Roli i ENTSOG (Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Gaz) është të lehtësojë dhe përmirësojë bashkëpunimin midis operatorëve të sistemit të transmisionit të gazit në të gjithë Evropën në mënyrë që të sigurohet zhvillimi i një sistemi transmetimi panevropian në përputhje me Bashkimin Evropian  për qëllimet e energjisë.

Shperndaj