Albgaz kërkon vendosjen e tarifës së re të transmetimit

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në ERE, datë 30 Mars 2018, Operatori i Kombinuar i Gazit Natyror, Albgaz Sh.a, argumentoi kërkesën për vendosjen e tarifës së re të transmetimit të gazit natyror për vitin 2018.

Në funksion të këtij qëllimi dhe zbatimit të ligjit 102/2015 për “Sektorin e Gazit Natyror”, akteve nënligjore dhe VKM-ve përkatëse, Albgaz Sh.a bën kërkesën për miratimin e tarifës së transmetimit të gazit natyror. Më vendimin Nr.90, datë 07/06/2017, Bordi i ERE, ka miratuar tarifën e përkohshme të transmetimit të gazit natyror prej 25 lekë/m3, e vlefshme deri në shtator të vitit 2017, tarifë kjo e rënë dakord me shoqërinë Albpetrol Sh.a.

Aktualisht, klienti i vetëm i Albgaz Sh.a është kompania Albpetrol. Në ditët në vazhdim pritet të zhvillohet një seancë tjetër dëgjimore nga ERE, ku të jenë prezent përfaqësues nga  të dyja palët.

Rrjeti i amortizuar dhe shtimi i kostove operacionale bën që kompania Albgaz Sh.a të kërkojë rritjen e tarifës së transmetimit nga 25 lekë/m3 në 40 lekë/m3.  Kjo tarifë përfaqëson ngushtësisht të ardhurat e kompanisë që mund të mbulojnë veprimtarinë në kushtet e investimeve për ngritjen e  kapaciteteve.

Gjithashtu theksojmë se Albgaz nuk kryen veprimtarinë e shitjes, si rrjedhojë shoqëria Albgaz Sh.a nuk ka marrëdhënie me klientin fundor, aktiviteti i shpërndarjes përfundon me furnizimin me gaz të shoqërisë Albpetrol Sh.a, për nevojat e vet kompanisë dhe nuk ka asnjë lloj influence qoftë edhe në mënyrë indirekte tek konsumatorët fundorë, siç janë konsumatorët familjarë apo edhe bizneset të cilët përdorin gazin në veprimtarinë  e tyre.

Shperndaj