Albgaz firmos dy marrëveshje të rëndësishme për Gazifikimin e Shqipërisë

Zhvillohet në Baku, Azerbajxhan takimi i katërt Ministerial i Këshillit Konsultativ i Korridorit Jugor të Gazit.

Shqipëria u përfaqësua nga Zv.Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Z. Enis Aliko dhe Administratori i Operatorit të Kombinuar të Gazit Natyror Z. Genci Gjeçi.

Ky takim kishte në thelb konsultimin për problematikat e Korridorit Jugor të Gazit, ku ndër të tjera u diskutuan problematikat e implementimit të këtij Korridori, veçanërisht roli i  Turqisë në implementimin e pjesës së rëndësishme të këtij projekti, siç është ndërtimi i gazësjellësit TANAP, si dhe implementimit të pjesës fundore të Korridorit Jugor të Gazit, tubacioni TAP, i cili siç tashmë dihet që  kalon nëpërmjet Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u vunë në dukje arritjet në implementimin e projektit që nga burimet e gazit në Shah Denizer II, si dhe sfidat që na presin në zhvillimin e infrastrukturës së gazit përgjatë këtij projekti.

Palët kanë nënshkruar kështu dy memorandume bashkëpunimi me rëndësi të madhe për gazifikimin e vendit.

Në këtë kuadër u zyrtarizua fillimi i konkretizimit të bashkëpunimit rajonal ballkanik, ku u arrit një marrëveshje, për krijimin e një kompanie të re për projektimin e Tubacionit Adriatik Ionian (IAP), i cili lidhet me Korridorin Jugor të Gazit. Kjo marrëveshje i referohet krijimit të kompanisë të re e cila do të ndërtojë gazsjellësin që do të kalojë mespërmes Shqipërisë, në Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci për të përfunduar në Slloveni.  Kjo marrëveshje u firmos midis kompanive Albgaz Sh.a, përfqësuar nga Z. Genci Gjeçi, Montenegro Bonus, Plinacro dhe BH Gas.

Në përputhje me prioritetin e parë të Gaz Master Planit, në ndërtimin e linjës së transmetimit nga pika e daljes së TAP, në Fier në termocentralin elektrik në Vlorë, u nënshkrua midis Socar dhe Albgaz Sh.a, marrëveshje për pregatitjen e projektit përfundimtar (FEED), që parashikon dizenjimin e gazësjellësit i cili do të ndërtohet midis dy qyteteve Vlorë dhe Fier për të siguruar furnizimin me gaz në Shqipëri, si pjesë e projektit të Korridorit Jugor të Gazit.  për transportimin e gazit të TAP.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Baku, kompania shtetërore e naftës në Azerbajxhan, SOCAR, do të ofrojë shërbime të dizanjit inxhinierik në Shqipëri.

Korridori Jugor i Gazit, konsiderohet si një nga projektet prioritare të energjisë për BE, e cila do të diversifikojë furnizimin me gaz.

Këto dy marrëveshje përveçse rrisin rëndësinë e  pozitës gjeografike të Shqipërisë në rajon, kanë edhe një rëndësi të madhe në proçesin e gazifikimit të  vendit duke ndikuar edhe në  rritjen ekonomike.

Shperndaj